A do të ndryshojë kontrata me koncensionarin e Check-up?!

Denisa Canameti

Kontrata koncensionare e checkup-it parashikon pagesën e koncensionarit për realizimin e të paktën 475 mijë kontrolleve në vit. Realizohet ose jo, Fondi është i detyruar të paguajë koncensionarin për këtë numër kontrollesh.

Ndërkohë, analiza e shifrave të 3 viteve, 2016 – 2017 – 2018, tregoi se numri i kontrolleve të parashikuara nuk është arritur. Përshembull, për vitin 2016 nuk është siguruar numri prej 39,583 kontrolle të parashikuara në muaj, pasi gjatë kësaj periudhe janë realizuar mesatarisht 27,500 kontrolle.Kjo ka sjellë që pagesa prej 268,251,380 lekë me TVSH, për 145,440 raste të parealizuara, të jetë një mos eficencë buxhetore, konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit.Situata përshkruhet e njëjtë edhe për vitet në vazhdim.

Në këto rrethana, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar që, për të rritur eficencën e përdorimit të fondeve buxhetore të parashikuara për paketën e kontrollit mjekësor bazë, është e nevojshme që FSDKSH-ja të kërkojë ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe në bashkëpunim me koncesionarin të ndryshojë kushtet e kontratës, në mënyrë që përmes modaliteteve shtesë të arrihet masa e kontrolleve mbi të cilat është dakordësuar çmimi i këtij shërbimi. Këshilli i Ministrave, nisur nga analiza e faktit që numri i analizave është larg pritshmërisë së numrit të kontraktuar, të ndërmarrë rregullime ligjore për të mundësuar zvogëlimin e efekteve negative (pagesa pa shërbim) në këtë koncesion.

Në rekomandimet e lëna, KLSH ka kërkuar qëkoncesionari të paguhet vetëm për vlerën e shpenzimeve fikse për çdo kontroll bazë, dhe jo për vlerën e shpenzimeve variabël të parashikuar, që llogariten rreth 400 lekë për checkup (pa TVSH), pasi koncensionari nuk ka kosto materiale për këto raste, fakt që do të kishe ulur koston për buxhetin .

Gjithashtu,  për të rritur efektivitetin e këtij koncesioni, vazhdojnë rekomandimet e KLSH-së:T’i kërkohet Ministrisë së Shëndetësisë një amendim i kontratës konçesionare, për rishikimin e paketës Checkup-it dhe eliminimin e kostove shtesë për buxhetin e shtetit, për shkak të pagesës së shpenzimeve variabël, që llogariten rreth 400 lekë për Checkup (pa TVSH), për kontrollet e pakryera.

Kjo ndërhyrje të shoqërohet edhe me vendosjen e mekanizmave për një monitorim të cilësisë së shërbimit të ofruar, duke synuar rritjen e besueshmërisë së popullatës, në mënyrë që ky koncesion të përmbushë objektivat për të cilin u ofrua nga qeveria. Pjesë e amendimit të jetë edhe saktësimi i shërbimit të ofruar në këtë kontratë, si një shërbim i përjashtuar nga tatimi mbi vlerë e shtuara TVSH. FSDKSH t’i drejtohet zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si organ kompetent për zbatimin dhe tatimore për një administrimin e detyrimeve trajtim teknik të furnizimit të paketës shëndetësore të (Check-up) dhe mënyrës së faturimit të saj.

Shoqata Togetherforlife ka bërë një analizë të Check-up(“Po humbin apo po fitojnë shqiptarët nga Check-up”, shtator 2018), ku rezultoi se kjo paketë ka nxjerrë një humbje prej miliona lekësh vetëm në një vit, çka e ul mundësinë e arritjes së përfitimit të 125 milion dollarëve në 10 vjet sipas kontratës.

Përballë fakteve të tilla, TFL ka vendosur që t’i drejtohet me një kërkesë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku kërkon arsyet se përse u vendos të ndiqet rruga e partneritetit publik privat për kontrollin bazë të popullatës 40-65 vjeç (Check-up), për sterilizimin e instrumenteve që përdoren në sallat e operacionit, për sistemet e dializës dhe për laboratorët, a kemi kapacitete monitoruese. Duke u ndalur specifikisht tek Check-up, TFL ka pyetur nëse Ministria e Shëndetësisë po vlerëson mundësinë e rishikimit të kontratës.

Cilat janë arsyet që u vendos që të ndiqet rruga e partneritetit publik privat për kontrollin bazë të popullatës 40-65 vjeç (Check-up), për sterilizimin e instrumenteve që përdoren në sallat e operacionit, për sistemet e dializës dhe për laboratorët?

Arsyet të cilat çojnë autoritetet kontraktues në përzgjedhjen dhe zbatimin e kontratave koncesionare dhe të partneritetit publik privat mund të jenë të shumta. Emëruesi i përbashkët i tyre, në të gjitha rastet, është fakti që, realizimi i një projekti i cili përfshin realizimin e punëve apo shërbimeve publike, mund të kryhet në mënyrë më efektive, efikase, me profesionalizëm të lartë dhe me më pak kosto për administratën publike, nëpërmjet përfshirjes së një partneri privat.

Partneritetet publike private, si marrëdhënie me përfitim të përbashkët si për sektorin publik edhe për atë privat, janë një mënyrë e efektshme për të zgjidhur nga njëra anë rastet e mungesave të fondeve buxhetore apo resurseve ekonomike në dispozicion dhe nga ana tjetër për plotësimin e kërkesave për punë apo shërbime publike, dhe ofrimin e tyre në kohën e duhur. Kjo sjell edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike të ofruara dhe rrit nivelin e aksesit të publikut në to.

Për sa më sipër, referuar dispozitave ligjore në fuqi për koncesionet dhe PPP, gjatë procesit të hartimit të studimit të fizibilitetit komisioni ka si detyrë të përgatisë arsyetimin e vendimit të koncesionit/PPP-së, i cili kryhet duke filluar me Krahasuesin e Sektorit Publik dhe duke përdorur modele të përshtatshme financiare, të tilla si metodologjia e Krahasuesit Publik Privat. Nga krahasimet e bëra nga anëtarët e komisioneve të dhënies me koncesion për kontratat e mësipërme midis alternativës së prokurimit publik dhe alternativës së koncesion/PPP-së ka rezultuar zgjidhja e dytë ofron vlerën më të mirë të parasë.

Pyetjes, a disponon Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe institucionet në varësi të saj kapacitetet institucionale dhe profesionale për të menaxhuar kontratat e mësipërme të koncesionit,ky institucion i përgjigjet se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si Autoritet Kontraktor, e ka detyrim kontraktual dhe ligjor menaxhimin dhe monitorimin e këtyre kontratave, nëpërmjet të gjitha palëve të përfshirë në këtë proces.

A është marrë në konsideratë rekomandimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit që koncesionarit të Check-up t’i paguhet vetëm vlera e shpenzimeve fikse për çdo kontroll bazë dhe jo vlera e shpenzimeve variabël të parashikuara që llogariten rreth 400 lekë për Check-up (pa TVSH) pasi konçesionari nuk ka kosta material për këto raste si fakt që do të kishte ulur koston totale për buxhetin e shtetit″ sqarojmë:

MSHMS ka marrë të gjitha masat konkrete dhe reale mbi zbatimin e rekomandimeve, por duke qenë se kjo kontratë, si veprim juridik i dyanshëm mbështetet në vullnetin dhe lirinë dypalëshe, reciproke për të kryer veprime të cilat do të ndryshonin efektet juridike që prekin të dy palët kontraktore (MSHMS dhe koncencionarin), jemi ende në fazë negocimi dhe nuk kemi ndonjë informacion shterues në lidhje me këtë pyetje.

A ka patur një analizë paraprake të kostove dhe përfitimeve si dhe ekspertizë teknike në hartimin dhe monitorimin e dokumenteve të nevojshme për lidhjen e kontratave të konçesioneve të mësipërme, sqarojmë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është në cilësinë e Autoritetit Kontraktor për tri kontrata koncesionare konkretisht për Kontratën Koncesionare nr. 3082/20, datë 07.01.2015, “Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç” të ndryshuar, për Kontratën Koncesionare nr. 1440/40, datë 10.12.2015 ″Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me materiale mjekësore steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfentikimin e sallave kirurgjikale”,Për Kontratën Koncesionarenr. 1503/44, datë 10.02.2016, “Për shërbimin e Hemodializës”.

Në realizimin e procedurave për lidhjen e kontratave të sipërcituara, MSHMS, ka ndjekur dhe zbatuar të gjitha përcaktimet ligjore në fuqi për koncesionet/PPP. Të tri procedurat nuk janë nisur mbi bazën e një propozimi të pakërkuar, por janë identifikuar nga MSHMS, sipas fushës së saj të veprimtarisë.

MSHMS, me Urdhër të Titullarit të Autoritetit Kontraktor, ka ngritur komisionet përkatëse për dhënien me koncesion për tri kontratat e sipërpërmendura. Në këtë urdhër janë përcaktuar anëtarët, detyrat për anëtarët, si dhe afatet brenda të cilave duhet të realizohen ato.

Komisionet e dhënies së koncesioneve, të cilat kanë qenë të ndryshëm për secilën nga kontratat sipas objektit të tyre, bazuar në Ligjin nr. 1125/2013, dhe VKM- 575, kanë hartuar studimin e fizibilitetit për secilin projekt.

Në studimet e fizibilitetit për secilin nga projektet janë përcaktuar veçoritë kryesore të projektit, bazuar në analizën teknike, ekonomike e financiare, analizën e ndikimit mjedisor e social, si dhe në analizimin e faktit nëse projekti i hartuar si një koncesion/PPP është ekonomikisht më i favorshëm, krahasuar me alternativën e prokurimit tradicional.Pasi këto studime janë miratuar nga Titullari i Ak, janë dërguar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, për marrjen e miratimit për mbështetje financiare. Pas marrjes së këtij miratimi, MSHMS, si Autoritet Kontraktor, ka vazhduar me procedurën e hartimit të dokumenteve standarde dhe publikimin e ftesës për ofertë për secilën procedure.

*Shënim: Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Monitorimi i spitaleve për listën e barnave të rimbursueshme, në përputhje me urdhrin e Ministrit për rritjen e transparencës dhe respektimin e të drejtave të pacientëve” i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu