Dr. Alfred Nona: Ja pse të rinjtë po vdesin para prindërve

Emanuel Smaka

Sëmundshmëria tek të rinjtë është rritur, veçanërisht prekja nga sëmundjet e zemrës. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Vlerësim dhe Matje të Shëndetit, vlerësohet se për çdo 100 vdekje në Shqipëri, 58 shkaktohen si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare. Kardiologu Alfred Nona në një intervistë për “Shëndet plus” tregon se shkaktarët kryesor të sëmundjeve kardiovaskulare në moshë të re mbeten: abuzimi me duhanin, alkoolin, drogën si dhe jeta sedentare.

Doktor, statistikat dhe studimet e fundit kombëtare dhe ndërkombëtare flasin për një rritje progresive të sëmundjeve të zemrës tek moshat e reja, kryesisht në Shqipëri. Nisur dhe nga praktika juaj e përditshme e punës, sa i mbështesni këto të dhëna?

Sa i përket sëmundjeve kardiovaskulare mund të themi se në përgjithësi prekin moshat mbi 50 vjeç tek meshkujt dhe mbi 55-60 vjeç tek femrat. Por, kohët e fundit kemi të prekur edhe në mosha të reja. Unë mund të flas për statistika personale, nga praktika e përditshme e punës, dhe mund të them se sëmundjet kardiovaskulare në Shqipëri janë gati 5 deri në 10 vjet më përpara sesa vendet perëndimore, duke u krahasuar përshembull me Italinë.

Përse kjo rritje më e lartë në Shqipëri sesa në vendet e Evropës Perëndimore?

Stili i jetesës është shkaku kryesor. Pas viteve ‘90 ka filluar një ndryshim i mënyrës së jetesës dhe aktiviteti fizik ka ardhur gjithmonë në rënie.

Shkaqe të tjera janë, jeta sedentare, obeziteti si dhe abuzohet shumë me faktorët e riskut. Në Shqipëri, abuzohet shumë me pirjen e duhanit dhe konsumimin e alkoolit, në këtë kategori hyn edhe përdorimi i drogërave. Vendi ynë, paradoksalisht, dhe pse është një vend i varfër, ka një përdorim të shtuar të drogërave të forta tek grupmoshat e reja.

Pra, duhanpirja e theksuar, sedentariteti i viteve të fundit, obeziteti mbi mesataren e vendeve perëndimore, përdorimi i alkoolit dhe drogës janë faktorët që me probabilitet të lartë kanë ndikim në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës tek mosha më të reja, krahasuar me brezin e prindërve tanë apo krahasuar me vendet perëndimore.

Këto të fundit kanë bërë politika të rëndësishme për shëndetin publik (mjafton të përmendim luftën që i bëhet duhanpirjes apo promovimit që i bëhet sportit në përgjithësi etj).

Mund ta themi me bindjen më të plotë se nëse do të vazhdojmë me këtë mënyrë jetese do arrijmë në një pikë që do të jetojnë më tepër prindërit sesa fëmijët e tyre. Deri në këto vite jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve është 78 vjeç dhe kjo falë dietës mesdhetare që bazohet tek frutat, perimet, vaji i ullirit, pak yndyrna shtazore dhe drithërat. Mjafton të themi se në SHBA ka një jetëgjatësi prej 78 vjet e tetë muaj. Pra, praktikisht njëlloj me ne, edhe pse kanë një mjekësi shumë herë më të avancuar). Por, kohët e fundit vihet re një shmangie nga dieta e shëndetshme mesdhetare dhe kemi kaluar në konsumim të fortë të yndyrnave shtazore. Formula e një zemre të shëndetshme është të ushqehemi varfër në yndyrna, kripëra dhe sheqerna.

Thatë që Shqipëria është 5-10 vjet përpara sa i takon sëmundjeve të zemrës. Çfarë nënkupton konkretisht kjo?

Pra, siç e thashë këtu abuzohet shumë me faktorët e riskut që bazën e kanë tek sedentarieti, obeziteti, duhanpirja, të cilët në fund të fundit rrisin faktorët e riskut klasik të zemrës, pra, hipertensionin arterial, diabetin, hiperkolesteroleminë etj., duke u finalizuar në sëmundjen e enëve të gjakut dhe këto të fundit në sindromën koronare akute apo infarktin e zemrës. Një tjetër faktor që ne duhet ta përmendim është edhe konsumi i kripës në sasi më të larta sesa normat e lejuara,  që janë 6-8 gr në ditë. Kripa ka një lidhje direkte me tensionin e lartë. Duke u rritur prevalenca dhe incidenca e hipertensionit arterial, shtohet edhe rreziku i sëmundjeve të zemrës edhe në mosha të reja.

Nëse i referoheni eksperiencës personale, keni vërejtur një rritje konkrete të rasteve me sëmundje të zemrës tek moshat e reja?

Sa i përket eksperiencës time mund të them se kemi pasur raste me infarkte edhe në moshën 27 apo 29 vjeçare. Në praktikën e përditshme të punës, gjithashtu konstatoj raste gjithmonë edhe më të shpeshta në moshat 30 apo 40 vjeçare.

Përveç faktorëve të riskut që ju përmendët, a ka shkaqe të tjera që ndikojnë në rritjen e numrit të të prekurve? Cilat janë ato?

Sa i përket shkaqeve të tjera që nuk janë arteriosklerotike, theksoj që janë shtuar vitet e fundit, pra shkaqe që nuk kanë të bëjnë me sedentarietetin, obezitetin, diabetin, tensionin, duhanpirjen apo kolesterolin e rritur. Mund të jenë patologji të ndryshme morfofunksionale apo çrregullime elektrike të zemrës që falë një diagnostikimi gjithmonë edhe më të saktë në Shqipëri, mund të japin  përshtypjen e një prevalence apo incidence të shtuar, por e vërteta është që evidentohen më tepër kohët e fundit. Këtu përfshihen të gjitha ato sëmundje që mund të shkaktojnë edhe arrest kardiak. Pra, një ndalje të menjëhershme të zemrës. Përmendim këtu displazinë aritmogjene të ventrikulit të djathtë, sindromën e Brugadës, sindromën e QT së shkurtër, kardiomiopatinë hipertrofike, sindromën e Ëolf Parkinson Ëhite etj. Këto sëmundje që përmenda prekin kryesisht të rinjtë.

Rol tjetër për rritjen e numrit të rasteve tek të rinjtë kanë edhe sëmundjet e lindura apo kongenitale edhe këto vetëm për faktin së në Shqipëri  kanë filluar të diagnostikohen më tepër dhe jo se janë shtuar raste të reja. Po ashtu incidencat (rastet e reja) me malformime të zemrës janë  8 apo 10 fëmijë në 1000 lindje, shifër kjo konstante në kohë.  Këto malformime kardiake mund të arrijnë deri në moshë madhore pa u identifikuar më parë dhe të diagnostikohen vetëm tek të rriturit, pasi fillojnë të shprehen simptomat.

Po sa i përket sensibilizimit për sëmundjet kardiovaskulare?

Sensibilizimi këto vitet e fundit për sëmundjet kardiovaskulare në veçanti ka ndodhur apo po ndodh më tepër tek moshat e reja, dhe kjo është shpresëdhënëse, sepse janë ata që përdorin me tepër internetin apo rrugë të tjera dhe marrin informacione për patologji të ndryshme. Mund te themi qe ka një përmirësim të kulturës mjekësore në Shqipëri, por gjithsesi nëse e krahasojmë me vendet perëndimore jemi akoma larg

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu