Instituti i Shëndetit Publik, (dë)shton informacionet për vetëvrasjet

10 shtatori është Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes. Kjo do të thotë, që kudo në botë, shëndeti publik i kushton një rëndësi mjaft të madhe kësaj çështje, duke u ndalur posaçërisht në fushata sensibilizuese, informuese apo forma të tjera komunikimi direkt apo indirekt me qytetarët.

Sigurisht, ky do të ishte misioni i një Institucioni  serioz, publik, seriozisht të angazhuar në rritjen e shkallës së informimit të popullatës, edukimit dhe ndërgjegjësimit të saj mbi problemet shëndetësore, si dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të popullatës në mënyrë që të identifikohen në kohë dhe të zgjidhen shkencërisht problemet shëndetësore të hasura, sikurse duhet të ishte ISHP.

Megjithatë vëmendja e ISHP-së për këtë çështje kufizohet në një informacion krejt standart (siç ndodh shpesh herë) pa asnjë të dhënë që i referohet vendit tonë, apo pa ndonjë material të përshtatur pas një vlerësimi të situatës konkrete në vendin tonë.

Flasim për vetëvrasjet, pasi numri i kronikave të realizuara muajt e fundit, ku mjekët ngrenë gjendjen e alarmit për shëndetin mendor të popullatës, është i lartë.

Nga të dhënat e INSTAT, rezulton se në vitin 2017 ka pasur rënie të vetëvrasjeve tek moshat e mitura (10-19 vjeç), por është shënuar një rritje e ndjeshme për të rinjtë e moshës 20-29 vjeç. Në këtë grupmoshë u kryen gjithsej 34 vetëvrasje, me një rritje prej 41% (ose 10 të rinj më shumë që kanë zgjedhur të ikin para kohe nga kjo botë) në krahasim me vitin e mëparshëm.

2-3 vitet e fundit, mjekët kanë pohuar se numri i pacientëve që kërkojnë shërbimet mjekësore për shkak të stresit dhe depresionit është rritur. E lodhur nga tranzicioni i gjatë, krizat politike dhe ekonomike që nuk po ndahen dhe me pak mundësi në sfond, shoqëria shqiptare është duke përjetuar një gjendje të thelluar të stresit, pohojnë mjekët.

Konfirmimi vjen edhe nga rritja dramatike e konsumit të medikamenteve kundër depresionit.

*Dita Botërore e Parandalimit të Vetvrasjes është nesër ,me datë 10 shtator. Ndërkohë që ISHP, në kuadër të kësaj date ka publikuar këtë material (kliko linkun):

10 Shtator 2019 Dita botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*