Korçë/Prindërit e fëmijëve me autizëm kërkojnë kabinet dentar

Denisa Canameti

Ka një rritje shumë të madhe të numrit të fëmijëve që janë diagnostikuar me çrregullime të spektrumit të autizmit, konfirmojnë mjekët që japin shërbim në Qendrat e Zhvillimit të Fëmijëve, në Shqipëri.

Fëmijët me diagnozën e çrregullimeve të spektrit të autizimit duhet të vlerësohen nga një mjek ekspert në vlerësimin dhe menaxhimin e këtyre çrregullimeve. Nuk është e rrallë për këta fëmijë të kenë edhe probleme shëndetësore të tilla si konstipacioni, diarrea, refluksi, probleme të gjumit, probleme të të ushqyerit etj. Duke qenë se për autizmin nuk ka një kurë, trajtimi i problemeve që zhvillohen përgjatë këtyre çrregullimeve mund të shtojë rehatinë e fëmijës. Kur fëmijët ndjehen më mirë, ata mund të jenë më pranues ndaj të mësuarit dhe, rrjedhimisht, mund të përfitojnë më shumë nga ndërhyrjet edukative dhe terapeutike.

Por, sa e lehtë është për këtë kategori pacientësh marrja e shërbimit shëndetësor? A është shërbimi shëndetësor lehtësisht i arrirë dhe falas?

Nga Korça vijnë një sërë problematikash! Eleni Kotelli, duke folur për situatën në qytetin e Korçës ka treguar sesa e vështirë është përballja me sistemin shëndetësor për këtë kategori pacientësh.  “Ka probleme sa i përket shërbimit shëndetësor në përgjithësi dhe sidomos ne atë stomatologjik dhe laboratorik”, shprehet Eleni. Sa i takon institucioneve shëndetësore, ajo tregon se ka patur disa komunikime zyrtare por pa zgjidhje.

Prindërit e fëmijëve me autizëm, shkresë spitalit: Kemi nevojë për kabinet dentar

Shkresë drejtuar Drejtorit të Spitalit të Korçës, e për dijeni Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu

Shëndeti i mirë oral është një element shumë thelbësor për shëndetin e plotë dhe mirëqenien e secilit prej nesh. Zakonisht, nuk është e lehtë që të bindësh vogëlushët që të shkojnë me dëshirë tek stomatologu. … Çdo prind me fëmijë me autizëm e ka shumë të vështirë që të gjejë një dentist për fëmijën e tij. Ne vazhdojmë që të vuajmë për të gjetur një dentist që ofron shërbim për fëmijët tanë, pjesa më e madhe e tyre, për të mos thënë të gjithë, nuk marrin përsipër për shkak të nevojave të veçanta, ose e refuzojnë fare punën me pacientët me autizëm.

Ne ndodhemi para një situate faktike, ku fëmijët tanë nuk marrin fare shërbim stomatologjik. Që të bëhet një vizitë tek stomatologu duhet të ndiqen një sërë procedurash të gjata e të lodhme, duke filluar nga analizat e përgjithshme të fëmijës, marrjen e rekomandimit për të lejuar dentistin që të trajtojë fëmijën, qoftë edhe nga ministria, përdorimi i anestezisë së përgjithshme, e cila kërkon një specialist të kualifikuar që ta aplikojë atë dhe ka një kosto të madhe, e në fund heqja e plotë e dhëmbit dhe jo trajtimi për ruajtjen e jetëgjatësisë së dhëmbit.

Kërkojmë:

  • Të hapet një kabinet dentar i veçantë në institucionin publik shëndetësor spitalor, në qytetin e Korçës, ku të kryhen shërbime profilaktike, ekzaminime, diagnostikime, analiza, narkozë…
  • Të mundësohen ambientet, profesionistët, mjetet e nevojshme për kontroll të vazhdueshëm të shëndetit oral të fëmijëve me autizëm, ndjekja e tyre që në moshë të hershme, kurimi që në fazat e para të shfaqjes së probleme me dhëmbët.
  • Kabineti të pajisjet me infrastrukturën dhe pajisjet e nevojshme logjistike…
  • Pranë këtij kabineti dentar të atashohen mjekë stomatolog, laborant dentar, ndihmës mjek, stomatolog, anestezist profesionist ….
  • Në kirurgji të ketë një cep kushtuar posaçërisht dentistit që merret me fëmijët me AK
  • Pranë spitalit të vendosen laborantë të specializuar për mënyrat dhe metodat e veçanta sesi mund t’i bëhen analizat fëmijës me autizëm
  • Dentisti i ambulancës të ketë leje për të bërë ndërhyrje për fëmijët me AK, ose në klinikë ose në kirurgji.
  • Të vihet në dispozicion një anestezist për tu vënë narkozë fëmijëve në rastet kur është e pamundur që të mjekohen me gjendje zgjuar

Spitali i Korçës: Nuk ofrohet shërbim i specializuar vetëm për fëmijët autikë

Drejtoria e shërbimit spitalor Korçë-  Rezulton se pranë Spitalit Korçë nuk ofrohet asnjë shërbim i specializuar vetëm për fëmijët autikë, pasi kërkohet edhe prezenca e psikiatrit infantil, ky shërbim ofrohet nga shëndeti mendor, i cili është në varësi të Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë, edhe shërbimi stomatologjik është në varësi të po kësaj drejtorie.

Drejtoria e Shërbimi Spitalor Korçë nuk ka procedurë të paracaktuar për marrjen e analizave të gjakut për fëmijët autike, në rast se do të paraqiten do të trajtohen njësoj si çdo pacient…

Pranë spitalit Korçë nuk disponohet protokoll trajtimi për fëmijët autikë, pasi protokolli i mjekimit ndodhet pranë Shëndetit Mendor i cili ka në varësi trajtimin e fëmijëve autik…

Në një tjetër shkresë, spitali ka premtuar se do të kërkojë në vazhdimësi pranë Ministrisë së Shëndetësisë mundësinë e çeljes së një Kabineti të Specializuar për shërbimin oral për fëmijët me aftësi ndryshe, për kryerjen e shërbimeve falas, me aparaturat përkatëse dhe mjek të specializuar.

Eleni Kotelli: Korça nuk ka personel të specializuar , as shërbime terapeutike, logopedi, ergoterapi

Znj. Eleni, sa është numri i personave me autizëm në qytetin e Korçës?

Në bazë të informacionit zyrtar numri i personave me Autizëm në qytetin e Korçës është 39 për vitin 2018.

Sa i përgjigjet sistemi shëndetësor, nevojave të personave me Autizëm? 

Sistemi shëndetësor nuk ju përgjigjet aspak nevojave të personave me Autizëm, pasi nuk ka personel të specializuar.

Cilat janë sfidat e prindërve që kanë fëmijë me autizëm? 

Sfidat e prindërve janë të shumta dhe ato përballohen çdo ditë me shumë vështirësi përsa i përket shërbimit në përgjithësi shëndetësor dhe sidomos ne atë stomatologjik dhe laboratorik.

A i keni adresuar ndonjëherë këto problematika. Nëse po, ku?

I kemi adresuar shpeshherë dhe prej vitesh vazhdojmë ta bëjmë në takime të ndryshme, në emisione televizive lokale, intervista të ndryshme, takime verbale me përgjegjës të institucioneve shëndetësore. Dhe shkresa zyrtare drejtuar Drejtorit te Shërbimit Spitalor Rajonal Korçë, Poliklinikës Korçë, për dijeni Ministres Ogerta Manastirliu.

Cila ka qënë përgjigja e institucioneve ndaj problematikave që ju keni adresuar?

Përgjigjet e institucioneve ndaj problematikave që kemi adresuar i gjeni tek dokumentet që po ju dërgojmë (shiko foton)

Problematikat për personat me Autizëm, janë të njëjta në të gjithë Shqipërinë, apo Korça vuan për shërbime specifike?

Pak a shumë në të gjithë Shqipërinë është e njëjta gjendje, vetëm në Tirane ofrohen shërbime të tilla por në spitale private dhe janë shumë të kushtueshme dhe të papërballueshme ekonomikisht. Por Korça nuk ka personel të specializuar si dhe as shërbime terapeutike, logopedi, ergoterapi etj.

 

Shoqata Together for Life  në takimin e parë konsultues të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me grupet e interesit, në kuadër të hartimit të programit të buxhetit afatmesëm (PBA) 2020-2022, bazuar në këtë informacion ka kërkuar mes të tjerash: 
• Garantimin e shërbimeve të nevojshme mjekësore për pacientët me Autizëm, vëcanërisht të nevojave për shërbim stomatologjik dhe laboratorik;

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu