Lulëzon biznesi i vitaminave, Kujdes! Shqiptarët po e teprojnë me suplemente

Nga Deada Hyka

Teksa prisnim radhën në një farmaci në kryeqytet, të gjithë klientët, të moshave të ndryshme, po merrnin me recetën në dorë, medikamentet e nevojshme: dikush ilaçe tensioni, zemre, mjekime për rrufë apo për dhembje koke. Të gjithë i shoqëruan shpenzimet e tyre me një multivitaminë. E habitur, pyes farmacisten nëse kishin pasur kërkesa për marrje multivitaminash, dhe ajo më përgjigjet se shitjet kanë pësuar ‘boom, të nxitura nga shoqërimi i medikamenteve që e kanë të nevojshme patjetër, por edhe si kërkesa specifike vetëm për vitamina. “Dhe, jo vetëm në farmacinë time” – më përgjigjet zonja pas banakut të bardhë, tavolina e saj e punës prej një jete. “Nga depot farmaceutike kemi dëgjuar se ka kërkesa” – shton ajo.

George Bernard Shaw, aktivisti irlandez i njohur për fokusin te shëndeti, ka thënë dikur “jepini një njeriu shëndet dhe një kurs për të drejtuar dhe ai kurrë nuk do të ndalet, duke u shqetësuar nëse është i lumtur apo jo”.

Si tendencë në të gjithë botën, njerëzit gjithnjë e më shumë po kuptojnë vlerën e të qenët i shëndetshëm, duke rritur interesimin për të gjitha gjërat që e promovojnë atë.

Pak vite më parë, dolën artikuj nga ekspertë të fushës që nënvizonin rëndësinë e vitaminës D, që çuditërisht një popull si ne, me kaq shumë ditë me diell në vit, kemi mangësi. Atëherë, farmacitë raportuan interesimin në rritje për vitaminën D, nga mosha kryesisht të reja.

Në të gjithë botën, gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë mjete ‘afër natyrales’ për të kuruar problematikat dhe eliksirë për t’i ndihmuar ata të qëndrojnë të shëndetshëm në vitet e tyre të ‘muzgut’. Shëndeti nuk është vetëm një qëllim, thonë ekspertët nutricionistë. Është njëkohësisht një zgjedhje jetese dhe një treg i lulëzuar me konsumatorë.

Rritja e imunitetit është një nga qëllimet kryesore të njerëzve që marrin multivitamina dhe suplemente, thekson mjekja Denisa Nika, nëndrejtoreshë e QSUT.

“Në periudha si vjeshta, që nis me shtatorin, shumë janë të bindur se multivitaminat mund të parandalojnë ftohjen dhe çrregullime të tjera shëndetësore dhe shpesh, u drejtohen menjëherë farmacive për të marrë një të tillë, qoftë për fëmijë apo për të rritur” – thotë Dr. Nika, si një tendencë e vëzhguar prej saj vitet e fundit.

Në dekadën e fundit, shitjet e vitaminave, mineraleve dhe shtojcave ushqimore dhe bimore janë rritur dhe shumë kompani të reja janë bërë pjesë e kësaj torte të madhe. Në nivel global, tregu vlerësohet në 82 miliardë dollarë, me afërsisht 28% të saj në SHBA.

Pse industria e suplementeve po rritet kaq shpejt?

Shumë ekspertë thonë se bumi në shitjet e vitaminave dhe suplementeve të tjera vjen prej ndërgjegjësimit të konsumatorëve për shëndetin, një popullsie në plakje dhe qasjes më të madhe në informacionin shëndetësor nëpërmjet teknologjisë dixhitale.

Dr. Pediatre Luna Spahia, me përvojë 20-vjeçare në Shqipëri, thotë se ndërsa njerëzit plaken, ata bëhen më të interesuar për shëndetin e tyre, por shpesh marrja e suplementit të duhur mund të jetë sfiduese. “Njerëzit duhet gjithnjë të konsultohen me një ekspert mjek. Në rastin konkret, edhe me rritjen e studimeve të shumta dhe njohurive tona, ne rekomandojmë marrjen e vitaminës D për fëmijët nga 0-2 vjeç. Dikur ishte e mjaftueshme deri në 1 vjeç. Megjithatë, duhet pasur parasysh se asnjë konsumator s’mund të marrë medikamente, qoftë vitamina, vetë në farmaci” – thotë Dr. Spahia.

Mjekët përmendin edhe një fenomen tjetër, konsumatorët që drejtohen vetë te farmacitë, zakonisht përdorin internetin për të hulumtuar produkte, për të shtuar përbërës dhe marka, kështu që ata kanë më shumë të ngjarë të blejnë produkte në internet. Edhe rritja e ndërgjegjësimit të konsumatorvëe për kujdesin shëndetësor parandalues ​​kontribuon në rritjen e industrisë.

Çfarë fshihet pas rritjes?

Dr. Daniela Nika, mjeke, nëndrejtoreshë e QSUT, thotë për “Monitor” se asnjëherë nuk duhet t’u jepet përparësi suplementeve dhe se në çdo rast është e rëndësishme që nevojat ushqimore, ata të përpiqen t’i sigurojnë nëpërmjet ushqimit.

“Jam dakord që shpesh, në faza të ndryshme të rritjes apo në vijim, vitaminat e mineralet janë përbërës esencialë për rritjen dhe zhvillimin e një individi. Por, theksoj se është mirë që të shtohen njohuritë dhe në dietën tonë të përfshijmë sa më shumë fruta, perime e drithëra sa më të patrajtuara dhe afër natyrales. Ndaj njerëzit duhet të konsumojnë sasi të mjaftueshme të këtyre përbërësve. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon minimumi 400 gramë fruta në ditë dhe kjo është një sasi lehtësisht e konsumueshme. Një frutë paradite, një perime gjatë drekës dhe një frutë a sallatë në darkë. Për shumicën e njerëzve, kjo do të ishte e mjaftueshme” – thotë Dr. Nika.

Megjithatë, ajo shton se shpeshherë, në raste konkrete si: një sportist, një grua shtatzënë, një grua me fëmijë në gji apo një i moshuar, mund të ketë nevojë për suplemente të caktuara, ashtu siç mund të kenë nevojë për vitaminë D.

Sipas mjekes, si dhe ekspertëve të fushës, një ndër arsyet që edhe Shqipëria, si jashtë, po përdor më tepër suplemente dhe vitamina, lidhet me një popullsi në plakje. Mjekja nuk e mohon edhe problematikën e sigurisë ushqimore, që mund të çojë në një nevojë shtesë për vitamina, në mungesë të mosmarrjes së mjaftueshme nëpërmjet ushqimeve.

Sipas një studimi të kryer në SHBA, plakja e popullsisë do t’i zhvendosë shpenzimet në kujdesin shëndetësor dhe do të riorganizojë tregjet, duke krijuar mundësi të reja. Ndaj, në ditët e sotme është dukshëm një biznes i mirë ai i vitaminave dhe suplementeve, ku blerjet janë rritur me 6% në vit nga 2007-2012, theksohet në kërkime të ndryshme.

Mjekët gjithashtu, pohojnë se një arsye tjetër është rritja e ndërgjegjësimit të konsumatorit për kujdesin shëndetësor parandalues.

Me zhvillimin e teknologjisë, të rinjtë janë më të prirë për të pasur informacione të shumta, që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor parandalues. Kjo breshëri informacioni, me rritjen e faqeve shëndetësore, apo edhe e mjekëve që ofrojnë shërbime e informacione online, ka qenë një shtytës kryesor për nxitjen e blerjeve të konsumatorit.

Rritja e marketingut, i cili përqendrohet në inovacionin e produkteve të reja dhe efektivitetin e rritur dhe sigurinë e produkteve ka ndikuar me sukses për shitjen e një game të gjerë produktesh suplementare.

“Studimet tregojnë se një pjesë e mirë e integruesve ushqimorë janë me bazë natyrore, por ka edhe të sintetizuar. Duhet lexuar etiketa dhe kuptuar mbase më shumë për cilësitë e asaj që marrim. Në laboratorë, është parë se shtohen gjithashtu struktura të tjera, të cilat i bëjnë vitaminat më kristalore dhe i ndryshojnë vetitë e tyre bazë” – këshillon Dr. Nika.

Importet në rritje

Sipas të dhënave të Doganave Shqiptare, për vitin e fundit të raportimit, 2017, importet e vitaminave dhe suplementeve të tjera, shënuan një trefishim në vlerë, krahasuar me 2016. Të dhënat tregojnë se në vitin 2017, importet arritën vlerën e 401,486 dollarë, ndërsa në vitin 2016 vlera ishte 140,403 dollarë.

Farmaci të ndryshme në kryeqytet raportojnë një rritje të kompanive të ndryshme të fushës së vitaminave dhe suplementeve që kanë ardhur në tregun shqiptar, krahas kërkesave në rritje për konsumimin e tyre.

Palestra, shtohet kërkesa

Me rritjen e dëshirës për t’u ushtruar në palestra dhe frekuentimit të tyre nga shqiptarët vitet e fundit, vihet re edhe rritja e përshkrimit të vitaminave e suplementeve të tjera që u këshillohen klientëve.

Jurgen Hakani, instruktor profesionist pranë “Flex Gym”, thotë për “Monitor” se shpesh, ata vetë rekomandojnë marrjen e suplementeve për persona të cilët kanë një regjim ushtrimesh më të pasura, që kanë një profesion në fushën e sportit, apo që të rrisin dhe nxisin rezistencën e personave që duan të ushtrohen më shumë.

“Është më se normale që të marrësh suplemente, edhe sepse në jetën moderne nuk mund të ushqehesh çdo ditë mirë dhe shumë prej nesh, gërshetojmë dieta të mira me ushqime të shpejta për arsye të punës. Suplementet janë gjithashtu të domosdoshme gjatë dietave për dobësim, kur numri i vitaminave të marra bie ndjeshëm apo kur ushqehemi për një kohë të gjatë me një lloj të vetëm ushqimi” – thotë Jurgeni.

Farmacitë: Kujdes në përshkrim

Burime nga “Florfarma” pohojnë se suplementet ushqimore në thelb, janë produkte të destinuara për të rritur dhe për të plotësuar më tej vlerat ushqimore në trupin tuaj. Në këto produkte kombinohen vitamina dhe minerale që sigurojnë imunitetin e sigurt dhe një dietë të balancuar. Kështu ju arrini të përmirësoni mënyrën e jetesës.

“Ndonëse, arsyeja kryesore pse përdoren këto shtojca është për të luftuar lodhjen, më tej është dëshira për të qëndruar të rinj dhe, së fundi, nevoja për të plotësuar deficitin ushqimor, megjithatë duhet të jeni të kujdesshëm me çfarë konsumoni dhe ku i blini këto produkte. Së pari, duhet të jenë të rekomanduara nga mjekët e fushës dhe duhet të blihen në farmaci të sigurta dhe të mira në treg” -thonë farmacistët e “FlorFarma”.

Cilat janë suplementet dietike?

Suplementet përfshijnë vitamina, aminoacide, produkte bimore. minerale dhe enzima dhe konsumatorët mund t’i blejnë ato në pluhur, xhel të butë, lëngje, tableta dhe kapsula. Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave dhe autoritetet e tjera rregullatore nuk kanë mandat të rishikojnë dhe rregullojnë shtesat dietike. Përballë rregullimit të lirë, kompanitë kanë disa pengesa në marketingun e produkteve, veçanërisht në internet.

FDA pranon që disa shtesa mund të jenë të dobishme, por agjencia paralajmëron kundër rreziqeve të caktuara shëndetësore, siç janë kombinimi i suplementeve, zëvendësimi i tyre me ilaçe pa recetë dhe marrja më shumë sesa kërkesat tuaja ushqyese të përditshme.

Disa nga shtesat më të zakonshme përfshijnë:

  • Echinacea
  • Vaj peshku
  • Kalcium
  • Vitaminë D
  • Multivitamina
  • Glucosamine
  • Aminoacidet për bodybuilding

Flet ENKELEIDA FERROLLARI, eksperte nutricioniste

“Te shqiptarët po rritet tendenca për përdorimin e multivitaminave”

A janë të rëndësishme vitaminat dhe suplementet për shëndetin tonë? Cila është diferenca mes tyre?

Vitaminat janë elemente ushqyese për të cilat organizmi ka nevojë për të kryer funksionet biologjike. Organizmi i njeriut nuk mund t’i sintetizojë vetë vitaminat në sasitë e nevojshme dhe ka nevojë t’i marrë nëpërmjet ushqimit. Vitaminat kanë funksione të ndryshme biokimike në organizëm. Shërbejnë si rregullatore në formimin dhe rritjen e indeve dhe të qelizave, ndihmojnë enzimat si rregulluese të metabolizmit, kryejnë funksione të hormoneve, shërbejnë si antioksidantë, etj. Vitaminat janë elemente shumë të rëndësishme për organizmin e njeriut.

Suplement është çdo produkt që shërben për të plotësuar dietën me elementët ushqyes që mund t’i mungojnë. Pra suplemtentet janë një tërësi e përbërësve ushqyes, vitamina, kripëra minerale, aminoacide, etj. Suplementet përdoren për arsye të ndryshme, kryesisht të lidhura me shëndetin. Megjithatë është shumë e rëndësishme të theksohet se njerëzit kanë mundësi t’i plotësojnë të gjitha nevojat e tyre me elemente mikroushqyes, vitamina dhe suplemente për të pasur një jetë të shëndetshme, duke ngrënë një ushqim të larmishëm dhe të ekuilibruar.

Nevojat për vitamina dhe suplemente mund të plotësohen duke ngrënë:

Shumëllojshmëri frutash dhe zarzavatesh 5 racione në ditë.

Ushqime të pasura me fibra si buka e zezë, patatet, orizi dhe makaronat, që duhet të jenë në çdo vakt.

Qumësht dhe bulmet 2-3 racione në ditë për të siguruar sasinë e nevojshme të kalciumit. (në rast se nuk arrihet kjo mund të rekomandohet përdorimi i suplementeve)

Mish, peshk, vezë, bishtajore apo ushqime të tjera të pasura me proteina.

Të kufizohen ushqimet që përmbajnë sasi të lartë të kripës, sheqerit dhe yndyrës.

Është shumë e rëndësishme të theksohet se një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar jo vetëm furnizon trupin me vitamina, kripëra minerale dhe elementë ushqyes, por gjithashtu edhe me nutrientë të tjerë që nuk mund të sigurohen nga suplementet, si fibrat që janë shumë të rëndësishme për aparatin tretës.

A janë shqiptarët përdorues të tyre?

Shqiptarët nuk janë përdorues të mëdhenj të vitaminave dhe suplementeve, edhe pse ka një tendencë në rritje. Globalizimi i tregut ka bërë që edhe në Shqipëri të ketë prurje të këtyre produkteve dhe të rritjes së marketingut të tyre. Kjo domosdoshmërisht do të rrisë konsumin e tyre.

Mendoni se ka raste që abuzohet me përdorimin e tyre dhe cila është forma e duhur që duhen marrë?

Tregu i suplementeve ushqimore është një treg në lulëzim. Reklamohen suplemente për të gjitha nevojat dhe çudibërëse. Janë lehtësisht të arritshme çka bën që të ekzistojë edhe rreziku i abuzimit në përdorim.

Ka një kategori njerëzish që kanë nevojë të marrin suplemente: si gratë shtatzëna apo që planifikojnë shtatzëni, kanë nevojë për suplement të acidit folik, gratë shtatzëna që kanë probleme me aneminë dhe kanë nevojë për suplemente të hekurit, apo kategori të tjera me patologji të ndryshme.

Duhet të jemi të kujdesshëm kur marrim suplementet. Suplementet duhet të merren në rastin e nevojave të ndryshme patologjike apo të gjendjeve të ndryshme fiziologjike të njeriut dhe nën rekomandimin e mjekut. Kur zgjedhim suplementet duhet të jemi të kujdesshëm të zgjedhim cilësinë dhe sasinë.

Suplementet jocilësore mund të kenë sasi të vogla të elementeve të dobishme që reklamojnë dhe mund të përmbajnë elemente të dëmshme për organizmin.

Gjithashtu, sasia e marrjes është shumë e rëndësishme. Vitaminat janë disa lloje dhe organizmi ka nevojë për sasi të përcaktuara mirë sipas gjinisë, moshës, etj. Disa vitamina, nëse i marrim në doza të mëdha mbi normat e rekomanduara ditore, mund të jenë të rrezikshme pasi mund të shkaktojnë intoksikim të organizmit.

Nga ana tjetër, disa suplemente mund të shkaktojnë efekte të padëshirueshme nëse ndërveprojnë me disa lloje ilaçesh.

Të tjerë mund të shkaktojnë probleme nëse vuajmë nga patologji të ndryshme.

Për shembull, gratë shtatzëna nuk duhet të marrin suplement vaj peshku pasi përmban vitaminë A. Sasi të mëdha të vitaminës A mund të dëmtojnë fëmijën.

Suplementet e vitaminës E duhet të shmangen nga personat që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare, pasi mund të rrisë rrezikun e atakeve kardiake.

Prandaj rekomandohet që marrja e suplementeve dhe vitaminave të konsultohet me mjekun përpara përdorimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu