Një ministër për pacientët!

Arlinda Shehu*

Gjuha shqipe, megjithëse një gjuhë e lashtë, ka huazuar shumë fjalë nga gjuhë të tjera. Një prej tyre është edhe fjala ministër. Në një kërkim të thjeshtë në internet (Rroftë Google!) rezulton se fjala ministër ka disa kuptime në anglisht: si emër ka kuptimin e një drejtuesi, ndërsa si folje nënkupton një njeri që ndihmon apo kujdeset për njerëzit. Mund të përmend edhe shembullin e mirë që jepet në këtë rast për të shpjeguar foljen: Doktori ishte i zënë duke i shërbyer (minister) të plagosurit.

Në traditën shqiptare, figura e mjekut ka qenë gjithnjë një figurë e veçantë, tepër e rëndësishme. Mjeku ka marrë dhurata, lutje, falënderime nga njerëzit edhe në kohërat e diktaturës, kur dhuratat, lutjet dhe falënderimet nuk lejoheshin as për Zotin.

Në pothuajse 30 vitet e tranzicionit shqiptar ky mjek ka kaluar nga një figurë e adhuruar në një figurë që po mban në kurriz gjithnjë e më shumë mallkimet e njerëzve, përveç dhuratave tashmë të dhëna më shumë nga frika sesa nga mirënjohja. Në muajt e fundit, këto mallkime po përkthehen në dhunë fizike në masë të gjerë.

Po në këta muaj, drejtuesja e Ministrisë së Shëndetësisë ka filluar të deklarojë se mjeku duhet mbrojtur, sepse mjeku po dhunohet padrejtësisht. Madje, në të vetmen ditë që mjekët dolën në protestë për dhunën ndaj tyre dhe për kushtet e këqija në punë, në protestë doli edhe vetë Ministria (!!!).

Për më tepër, për të treguar se mjekët janë shumë të rëndësishëm, drejtuesja e Ministrisë së Shëndetësisë (që ende e mohon largimin masiv të mjekëve nga Shqipëria) u shpreh se po punon me Ministrinë e Drejtësisë për ndryshime në Kodin Penal. Ndryshimet kishin të bënin me dy faktorë: e para, kanosja për shkak të detyrës ndaj profesionistëve të shëndetit të dënohej me burg (më fal, por neni 237 i Kodit Penal e ka tashmë dënimin me burg për këtë rast) dhe e dyta me dekriminalizimin e gabimit mjekësor.

Në gjithë këtë “dashuri” për mjekët të shprehur nga ministrja (ajo që duhet t’i shërbejë dhe të kujdeset për njerëzit) nuk duket se është marrë dhe as po merret parasysh në asnjë moment viktima kryesore e sistemit shëndetësor: pacienti.

Në asnjë rast nga ana e drejtueses së Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë përmendur shkaqet që i çojnë pacientët në dhunë ndaj mjekëve. Në asnjë rast nuk është mbajtur përgjegjësi për shkaqet që i çojnë pacientët në dhunë ndaj mjekëve. Në asnjë rast nuk u është kërkuar falje pacientëve për dhunën psikologjike që sistemi shëndetësor u ofron dhe që pastaj çon në dhunë fizike ndaj mjekëve.

“Dhuna është e patolerueshme, është primitivizëm dhe në çdo rast nuk mund të jetë zgjidhja”, u shpreh drejtuesja e Ministrisë së Shëndetësisë duke nënkuptuar në çdo rast dhunën fizike të pacientëve ndaj mjekëve. Në fjalorin shqip fjala dhunë ka disa kuptime, ndër të tjera: përdorimi forcës fizike, i shtrëngimit fizik ose psikik… për ta nënshtruar e për ta shtypur dikë, për të kufizuar veprimet e dikujt etj.; detyrim a shtypje me anë të forcës… fyerje e rëndë që i bëhet dikujt… etj.

Po, unë jam dakord që mjekët nuk duhet të dhunohen fizikisht (as verbalisht, as psikologjikisht), pavarësisht se ka shumë mjekë me mëkate në sistemin tonë. Jam gjithashtu dakord që duhet të ndahet gabimi mjekësor nga neglizhenca.

Por ndërkohë që po punohet në këtë drejtim, a u pyetën vallë pacientët? A u konsultua ministrja (ajo që duhet t’u shërbejë njerëzve) me të gjithë këta pacientë në Shqipëri se cilat janë arsyet që po i rrahin dhe dhunojnë mjekët? A i pyeti vallë ministrja (ajo që duhet të kujdeset për njerëzit) pse prindërit bëhen të dhunshëm në spitale dhe dhunojnë në “primitivizmin” e tyre mjekët? A po përgatit ndërkohë drejtuesja e Ministrisë së Shëndetësisë edhe një ligj se kush do të përgjigjet për dëmshpërblimin e pacientëve në gjithë rastet e abuzimeve që ata pësojnë në sistemin shëndetësor dhe kur nuk marrin shërbimin e duhur mjekësor?

Në gjithë këtë situatë, me një sistem ku pakënaqësia ka arritur kulmin aq sa mjekët po rrihen çdo ditë, është shumë i neveritshëm momenti në të cilin gjithë faji u kalon pacientëve, kur drejtuesja e Ministrisë së Shëndetësisë del dhe fajëson popullin (një popull primitiv që kërkon zgjidhje përmes dhunës).

Nëse doni që mjekët të mos rrihen, krijojini atyre kushte pune, krijoni një sistem shëndetësor që ofron shërbim për të gjithë pacientët dhe u siguron atyre një shëndet të mirë. Në atë rast nuk do të ketë nevojë për burgime. Mjekët do të qëndrojnë në Shqipëri t’u shërbejnë njerëzve dhe njerëzit nuk do të ndihen të dhunuar në shpirtrat e tyre për ta përkthyer këtë dhunë në indinjatë fizike ndaj mjekëve.

Sidomos në rastin e shëndetësisë, kemi nevojë për një ministër që kujdeset dhe i shërben njerëzve, dhe jo që predikon tolerancën. Thjesht merrni përgjegjësi! Jini ministre edhe për pacientët (nga ata që kujdesen dhe u shërbejnë njerëzve)!

*Menaxhere programesh pranë shoqatës “Together for Life”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu