Pacientët e sëmurë të shëndetit mendor diskriminohen

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstaton diskriminim të drejtpërdrejtë për pacientin e shëndetit mendor A. B. dhe gjithë pacientëve të sëmurëve të shëndetit mendor si dhe urdhëron marrjen e masave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Drejtesise dhe Prokuroria E Pergjithshme.

Shoqata Together for Life ka paraqitur një Ankesë për diskriminimin e pacientit A. B., i cili vuan nga sëmundja mendore e “Skizofrenisë”, i cili ka kryer një vepër penale. Për shkak të gjendjes mendore, Gjykata ka pushuar gjykimin dhe ka dhënë ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion psikiatrik”. Në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e gjykatës, shtetasi A. B., është trajtuar që nga viti 2001 në IVSHB Tiranë dhe në IEVP Krujë (Zahari).

Aktualisht janë rreth 275 shtetas më sëmundje të shëndetit mendor që dyshohet apo që kanë kryer një vepër penale për shkak të sëmundjes së rëndë mendore të cilët mbahen në kushte johumane, degraduese dhe të diskriminuar në burgjet e mësipërme dhe jo në një institucion të posaçëm psikiatrik në varësi të MShMS. Komiteti për Parandalimin e Torturës, Avokati i Popullit dhe organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur në rrugë administrative dhe gjyqësore, problemin e shkeljes së të drejtave themelore të këtyre shtetasve.

Referuar KEDNJ, këtyre shtetasve u shkelet e drejta themelore për të mos iu nënshtruar trajtimit çnjerëzor dhe degradues, e drejta për liri dhe siguri pasi mbahen në burg në mënyrë të paligjshme, e drejta për respektimin e jetës familjare, e drejta për zgjidhje efektive dhe e drejta për të mos u diskriminuar. Kushtet në të cilat trajtohen këta pacientë janë tepër të varfëra, janë të braktisur nga ana terapeutike, mungon mjeku psikiatër si dhe është reduktuar stafi me infermierë.

Pas shqyrtimit të ankesës së Shoqatës “Together for Life”, me Vendimin nr. 255, dt. 19.12.2018, të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi është konstatuar diskriminimi i drejtpërdrejtë, për shkak të “përkatësisë në një grup të veçantë” dhe të “aftësisë së kufizuar” të shtetasit A. B., dhe të gjithë kategorisë së të sëmurëve të shëndetit mendor të ndodhur në në njëjtat apo kushte të ngjashme me të, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS).

Deri në ngritjen e një institucioni të posaçëm psikiatrik, MShMS, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë (MD), duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për përshtatjen e ambienteve të IVSH Tiranë dhe dy godinave 4 dhe 5 në IEVP Lezhë për akomodimin e shtetasve me vendim gjykate “Shtrim i detyruar në një institucion psikiatrik”, ta pajisë atë me të gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe të domosdoshme mjekësore dhe personelin e specializuar mjekësor dhe psiko-social si dhe godinat të kalojnë tërësisht nën administrimin dhe kujdesin e MShMS, sikurse parashikohet në Ligjin nr. 44/2012, “Për shëndetin mendor”.

Gjithashtu, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i rekomandon Prokurorisë së Përgjithshme të udhëzojë në mënyrë të qartë të gjitha prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, si dhe pranë gjykatave të Apelit, për zbatimin në mënyrë korrekte të Ligjit “Për ekzekutimin e vendimeve penale në RSH”, konkretisht, për zbatimin në mënyrë të ligjshme të vendimeve të gjykatës lidhur me masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion psikiatrik”.

Shoqata “Together for Life” vlerëson se, ky Vendim i Komsionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimit, përveç ankesës së pacientit A. B., trajton gjithë shkeljet e të drejtave të komunitetit të pacientëve më sëmundje të rënda të shëndetit mendor duke adresuar rekomandime specifike dhe të sakta për të gjitha institucionet përgjegjëse shtetërore si MShMS, MD dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Në kuadër të zbatimit të 5 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE, të gjitha institucionet përgjegjëse me funksione ekzekutive apo të drejtësisë duhet t’i kushtojnë rëndësinë e duhur respektimit të të drejtave të njeriut si dhe zbatimit të ligjit, ku bëjnë pjesë edhe komuniteti i pacientëve me sëmundje të rënda të shëndetit mendor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu