Pëllumb Pipero: Odisea, nga repartet ushtarake, në gjirin e elitës mjekësore

Bisedoi: Denisa Canameti

Edhe pse një nga godinat më mjerane të QSUT-së, shërbimi i infektivit njihet për ekipin ekselentë të mjekëve.

Doktor Pëllumb Pipero është një emër i njohur i shëndetësisë shqiptare, jo vetëm për kontributin e tij shumë të madh si mjek, por edhe në politikat shëndetësore në vend. Figurë aktive dhe dashamirëse, megjithatë shumë pak e njohur për jetën e tij përtej punës, përtej politikës. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, doktor Pipero tregon shumë për rrugëtimin e tij në shëndetësi, odisenë e gjatë jetësore e profesionale, si dhe bën një retrospektive me nota emocionale për vitet e tij si drejtues i politikave shëndetësore në Shqipëri.

Doktor, sa vite keni në këtë profesion?

Kam filluar Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1976 dhe kam mbaruar në vitin 1981. Pas stazhit 1-vjeçar, kam filluar punën si mjek në Spitalin Ushtarak, ku kam qëndruar një vit. Më pas lëvizjet kanë ndjekur njëra tjetrën. Praktikisht unë nuk kam qenë kontingjent i ushtrisë, nuk vij nga radhët e ushtrisë. Rekrutimi nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë ishte do të thosha një aksident jo i këndshëm për mua. Kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë me mesatare 9.86, kam qenë ndër studentët e shkëlqyer të fakultetit. Ëndërroja të rrija në fakultet, të rrija pedagog, por në atë kohë vendimet nuk i merrte individi, nuk vareshin nga dëshira e asnjërit prej nesh. Vendimet merreshin nga partia dhe mua më caktuan të punoja në Spitalin Ushtarak, duke më thënë që jo vetëm fakulteti do studentë të mirë, edhe ushtria do studentë të shkëlqyer.

Në spital ushtarak (pa dashur të mburrem) kam shkëlqyer. Edhe pse mjek i ri, pa eksperiencë, pa përvojë, ishte një moment që muret e Spitalit Ushtarak u mbushën me fletërrufe falënderimi, sepse në atë kohë fletërrufetë ishin në modë. Kjo ngjalli një ndjenjë një xhelozie të paparë te kolegët më të vjetër. Në atë kohë Spitali Ushtarak kishte mjekë të talentuar, shumë të mirë. Ishte një shërbim shumë i konsoliduar. Gjithsesi, lumturia nuk zgjati shumë, pas një viti më thanë që duhet të bëja jetën në repart. Dhe kësisoj, më lëvizën nga Spitali Ushtarak për një repart ushtarak në Ndroq. Ishte një gjendje shoku për mua. Nga bankat e fakultetit, në Spitalin Ushtarak, nga aty në repart ushtarak, fare i panjohur me jetën e ushtrisë. Gjithsesi, përfundova në një repart ushtarak të humbur fare dhe ju nënshtrova fatit se nuk kisha çfarë të bëja. E vetmja gjë që më ngushëllonte atje ishte të lexuarit, dhënia e provimeve pasuniversitare, dhe të qarit e hallit me veten time, sepse me shumë vështirësi u ambientova me jetën e ushtrisë.

Madje këtu mund të tregoj një sekret të vogël:

Në një nga ato rreshtimet që na bënin në mëngjes, duhet që të parakalonim përpara rreshtit të oficerëve, me atë “Djathtas- nderohu, majtas- nderohu”, përpara komandantit të repartit, dhe në një moment, kur isha në krahun e djathtë, nderova me dorën e djathtë, kur tha “Majtas- kthehu”, nderova me dorën e majtë, dhe për këtë më dënuan disa ditë me një masë disiplinore. Sepse dhe kaq gjë nuk ambientohesha dot. Pastaj mbajtja e armës personale, historia pa fund.

Edhe për pistoletën kam një tjetër histori që sot qesh kur e tregoj, por atëherë nuk ishte gjë e vogël. Një ditë u nisa nga reparti për të shkuar në spital për të takuar dikë, për një problem mjekësor, dhe rrugës më kapën nevojat personale. Shkova në një banjo publike. Atje harrova pistoletën. Kam ikur dhe pistoleta është gjetur pas ca kohësh. Ka qenë shumë e vështirë mundësia për t’u adaptuar në ushtri, për më tepër që unë kam qenë shumë problematik.

Por si mjek, si vlerësoheshit?

Respektin më të madh për mua në Ndroq e kishin banorët e zonës, të cilët pothuajse të gjithë vinin për t’u vizituar te unë. Dhe pse po ju them që kam qenë fare pa eksperiencë. Sepse vija nga fakulteti, dhe fakulteti sigurisht që nuk ishte ky i sotmi, dilnim dikur shumë më të formuar se sot. Por, të përballesh me të sëmurin pa eksperiencë nuk është kaq e thjeshtë, është shumë e vështirë dhe thoshin që jeni doktor i mirë.

Për të shkuar në Spital Ushtarak nuk ishte zgjedhja juaj, po specialiteti?

Edhe puna e infektologut është fare rastësi. Ndërkohë që isha në Spitalin Ushtarak, për mua u akordua një bursë studimi për reanimacion kardiak në Austri, ishte një bursë 3 vjeçare, e nominuar. Nuk e di si përfundoi ajo bursë, ndërkohë që mua më larguan nga reparti dhe bursa u nda në minibursa të vogla. Unë kam pasur pasion kardiologjinë, e kam pasur shumë pasion. Por në atë kohë pacientët donin o kardiologji o kirurgji. Kirurgjinë e kam provuar, kam dashur të filloja specializimin për kirurgji. Jam futur dy herë në sallën e operacionit në Spitalin Ushtarak për të filluar praktikën, me një kirurg të talentuar të asaj kohe, doktor Ismail Fetën, dhe të dyja herët kam humbur ndjenjat në sallë, nuk duroja gjakun si duket. Dhe doktor Isamili më tha që ti nuk bën si kirurg. Që atëherë, pasioni im kaloi te kardiologjia. Ndërkohë që isha në repart ushtarak, kam bërë një specializim për shëndet publik, sepse ishte e detyrueshme për mua. Gjatë asaj kohe ndoqa dhe kurset e sëmundjeve infektive. Në atë periudhë u ktheva nga specializimi, më emëruan në Fakultetin e Mjekësisë si zv/dekan për anën ushtarake. Edhe këtu kam patur një odise relativisht të gjatë dhe problematike, sepse periudha ishte mjaft e vështirë. Universiteti i Tiranës i bënte zboret afër Krujës në kushte mizerable. Qëlloi që një grup studentësh të shkencave të natyrës u intoksikuan me ushqim në një moment. Në shkencat e natyrës në atë kohë studionin të gjithë fëmijët e udhëheqjes, midis tyre ishte dhe vajza e Ismail Kadaresë dhe nipi i Ramiz Alisë. U bë çështje shumë e madhe, edhe pse nuk kishte ndonjë problem të madh. Por, për mua në atë kohë u bënë disa gjyqe thuajse politike. Madje ish-ministrja e Arsimit në atë kohë më ka bërë një pyetje se nga se ka ndodhur helmimi i studentëve, dhe i thashë: kemi marrë materialet dhe i kemi çuar në dy spitale, në Krujë dhe në Tiranë, janë mbjellë (kështu quhet në gjuhën popullore) dhe për 2-3 ditë dalin përgjigjet.

Ish- ministrja kthehet dhe më thotë: Ç’janë këto mikrobe që i mbillni juve?! Grurë që i mbillni sot e korrni mot. Dua që analizat të bëhen brenda ditës! Dhe më gjeni kush e ka shkaktuar intoksikacionin.

U bë çështje e madhe. Të nesërmen u bë mbledhje prapë, më kërcënuan. Ish- ministrja e asaj kohe më ka kërcënuar që ju personalisht do t’jua ngre trekëmbëshin të Qyteti Studenti.

Sipas organikës, unë do të organizoja sigurimin shëndetësor të studentëve që bënin zborin, sepse isha zv/dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe na takonte ne ta mbulonim atë lloj sektori. Historitë e asaj kohe ishin të çuditshme.

Nga buronte i gjithë ky sulm ndaj jush? Urrejtje, xhelozi apo konkurrencë?

Kishte një lloj servilizmi ose një lloj dëshire për t’u dukur përpara udhëheqjes. Pra, para atyre që ishin në krye, për të thënë: e gjetëm shkakun, dënuam këtë, dënuam atë. Në atë kohë ishte vërtetë ndryshe. E kam përjetuar shumë keq atë periudhë, sepse pothuajse isha i dënuar.

Si e ndikoi karrierën tuaj gjithë kjo vënie pas e politikës së asaj kohe?

Pas kësaj më rikthyen sërish në repart ushtarak, prej andej në Spital Ushtarak përsëri. Unë isha një person që vazhdoja lexoja, jepja provime pasuniversitare. Të gjitha provimet pasuniversitare që jepja i merrja 10-ta. Merresha me ndonjë aktivitet studimor, me ndonjë studim, edhe pse isha larg kësaj. Marrëdhëniet me fakultetin këtu i kam pasur shumë të mira. Pedagogët me donin dhe i doja shumë. Pas kësaj lëviza në karrierë. Më bënë shef të madh të higjienës, në atë kohë më ka ndihmuar shumë babai i profesor Rifatllarit, u bëra i rëndësishëm. Kisha makinë në dispozicion, kisha shofer, shoqërues. Ndërkohë që projektoja këto historia kështu, vajtje-ardhje, nga reparti në spital u ngrita dhe u ula prapë. Më kthyen prapë në Ndroq. Sepse ka qenë e çuditshme, historia ime. Rastësisht kam takuar në Ndroq, duke u kthyer nga Durrësi, dy figura të shkëlqyera të mjekësisë shqiptare: Profesor Kristo Panon dhe profesor Durim Bebecin. E dinin që isha në Ndroq dhe erdhën atje. Me kërkuan, më gjejnë. Mua sikur më erdhi perëndia. I mora me atë çiltërsinë e një ish-studenti, mjeku në një fshat që dëshiron t’i respektojë pedagogët e tij. Shkuam të magazina e fshatit për fruta e perime dhe më thotë prof. Kristo Pano: Dëgjo Pëllumb, nëse ti je kaq i mirë sa dukesh, do të marr në spitalin infektiv dhe do të mbaj aty. Këtu fillon momenti i rikthimit tim, në gjirin e elitës së mjekësisë shqiptare. Erdha në infektiv, në ato që në atë kohë quheshin specializime me atashim, sepse unë kisha bërë një specializim të drejtpërdrejtë dhe ky i dyti ishte i pamundur të bëhej në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndenja një vit e gjysmë ose dy vjet. Ndërkohë mbrojta doktoraturën dhe, të them të vërtetën, doktor Kristo e mbajti fjalën, nuk më la të ikja më.

Përballë një kalvari kaq të madh, u penduat ndonjëherë që zgjodhët mjekësinë?

Nuk e kam menduar këtë gjë asnjëherë, gjithmonë kam menduar se cili ishte mekanizmi i asaj kohe që përjashtonte një student të shkëlqyer. Se ka nga ata që ishin vërtet të shkëlqyer, siç ka qenë profesor Tritan Kalo, me të gjitha 10, por kishte nga ata që ishin shumë mbrapa meje dhe për ata u gjetën hapësira që të rrinin në fakultet apo të merrnin një specializim të dëshiruar në atë kohë. Unë sot nuk e ndërroj infektivin me asnjë profesion tjetër, kjo është e padiskutueshme. Por iu nënshtrova kalvarit të Spitalit Ushtarak, persekutimit, lodhjes, dekurajimit. Por kjo ishte kjo dhe nuk e ndryshonim dot.

Me ndryshimin e sistemit…

Me ndryshimin e sistemit ka ndryshuar për negativisht opinioni për mjekun, vlerësimi për mjekun, vlerësimi për bluzën e bardhë dhe vlerësimi për bluzat e bardha përgjithësisht. Unë mendoj që në atë kohë mjeku ishte mjek, edhe pse mundësitë për të ushtruar profesionin ishin shumë të kufizuara. Sot mundësitë janë shumë të gjëra për të ushtruar profesionin, por respekti për figurën e mjekut dhe kufizimet etike, morale, për të ushtruar profesionin janë shumë të mëdha.

Duhet të kuptojmë një gjë: mbi mjekun ka dy institucione që mund të vendosin drejtësinë e vendimit të tij. Nëse një mjek e merr të sëmurin, e merr anamnezën, bën ekzaminimin objektiv, merr analizat, vendos diagnozën dhe vendos mjekimin, mbi këtë vetëm dy institucione mund të veprojnë: I pari është mjeku ligjor, në rast se pacienti pëson dëmtime, dhe i dyti është Zoti. Nuk ka institucione të tjera vendimmarrëse mbi mjekun. Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë: mjekësia nuk është shkencë ekzakte. Mjekësia është një shkencë që fillohet të mësohet në fakultet dhe pastaj mësohet gjatë gjithë jetës, ndërkohë që mjekun e bën kombinimi i përkryer i eksperiencës me teorinë. Sot mjeku ka shumë presion për të mos qenë mjek i vërtetë dhe brenda kompetencës së vet. Në praktikën e përgjithshme klinike, mbi mjekun është konsulta, nëse ndodhin probleme, është mjekësia ligjore dhe nuk ka më.

Tani të vjen familjari, të vjen politikani, të vjen ministri që s’ka asnjë lidhje me mjekësinë dhe të thotë: Pse e ke bërë kështu? Të vjen familjari dhe thotë: Pse se ke bërë kështu?

Nëse para ’90-s politika bënte presion politik për të respektuar regjimin, ose për të mbyllur sytë edhe gojën para regjimit, por profesionisti e gjente veten brenda profesionit të tij. Sot, më shumë sesa puna, përkushtimi apo profesionalizmi, vlen paragjykimi. Mjeku është pjesë e kësaj shoqërie, me të mirat dhe të këqijat e saj. Nëse flasim gjithë ditën për korrupsionin, për politikanë të korruptuar, nuk mund të flasësh për mjekë të korruptuar. Mjeku nuk ka si të jetë i korruptuar, sepse nuk ka asgjë në dorë për t’u korruptuar. Mjeku maksimumi mund të pranojë një dhuratë, që sot herë quhet dhuratë, herë quhet ryshfet. Unë do kisha dëshirë që qytetarët tanë të na sjellin një tufë me lule, që të më thonë faleminderit. Nuk mund ta quaj korrupsion as një dhuratë në të holla, që një familjar apo i një pacient e ndjen për ta bërë.

Po them vetëm një rast:

Para nja 7-8 muaj një grua nga Fieri, mbase ajo do ta lexojw dhe përjetojë si situatë, më mori në telefon dhe më tha : Doktor, emrin tuaj ju kam parë në televizion, dua të sjellë vajzën te ju se e kam shumë sëmurë. Erdhi të nesërmen, i mora anamnezë, dhe pas të gjithë të dhënave që kishte vajza, nuk shikoja që fshihej ndonjë sëmundje. Ndonjëherë është e vështirë që t’i mbushësh mendjen familjarit që nuk kishte asgjë. I dhashë për të bërë disa analiza rutinë, i thashë që vajza nuk ka këtë problem që të kanë thënë, por ka këtë, dhe i dhashë një mjekim fare të thjeshtë. Mjekim që nuk ishte mjekim, megjithatë ia dhashë. Pas një jave erdhi vajza, ishte shumë e kënaqur, shumë e gëzuar, i ishte bërë jashtëzakonisht mirë, nuk kishte më asnjë problem, më shumë ishte psikologjike se organike sëmundja. E ëma nga ana e saj tha: Doktor shumë faleminderit, më keni shpëtuar vajzën. Nuk kisha bërë asnjë. Por, nuk mund të iki pa të dhënë një kafe. Dhe u ngrit, hapi çantën dhe nxori 5 mijë lekë të vjetra.

I thashë sërish, faleminderit nuk është nevoja. Më tha, të lutem merre por a ke të më kthesh 3 mijë lekë të vjetra? Ngela, dhe i thashë: pse më ofendon? Iu mbushën sytë me lot dhe tha: po më ofendoni ju mua, mua më duhet 3 mijë lekëshi se më duhet të kthehem me fugon në Fier. Ndërkohë që nuk mund të iki pa të dhënë një kafe.

Ky është vetëm një rast, me të cilin dua të them se këtë moment nuk do ta quaja korrupsion apo ryshfet, sepse shqiptari nuk ikën pa ta shpërblyer. Ata e dinë që ky është detyrim i jonë që t’jua ofrojmë shërbimin, por ta shpërblejnë edhe kështu. Unë nuk po them që midis nesh nuk ka dhe ndonjë person që bën pazare, ka, por nëse dalin fenomene të tilla, duhet t’u vëmë gishtin dhe të themi: Po, ky është.

Sistemi aktual i shëndetësisë që kemi ne, me mjekë që punojnë në kushte mizerable, si këto që jemi ne, me mjekë të papaguar mirë, me mjekë të paragjykuar, me mjekë që janë familjarë. Ne jemi profesion që kemi shumë kërkesa: mund të më duhet të blej 500 paund një libër, prej të cilit më duhen dy rreshta. Ka ndodhur që doktori të jetë joshur për ta parë nga duart pacientin, por duhet të dini se ne kemi një elitë mjekësh përgjithësisht të talentuar, shumë të mirë, edhe pse sistemi shëndetësor nuk është ai që do të dëshironim.

A mendoni se elita mjekësore ka një pjesë të fajit për këtë sistem shëndetësor që kemi sot?

Shqipëria është një vend ku të gjithë duam të bëjmë gjithçka dhe asnjëri nuk bën atë që duhet. Nga mëngjesi në darkë merremi me politikë. Në një farë mënyre politika ka zënë vend këmbëkryq nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër te ne. Ne nuk po gjejmë dot askund, asnjë hapësirë të zbrazur nga politika në Shqipëri, për fat të keq. Ky vend është politizuar në mënyrë të tejskajshme.

Së dyti, jemi një vend ku intelektualët janë të anashkaluar, janë të papërfaqësuar, janë të papyetur. Nuk di asnjë rast intelektuali të mirëfilltë që edhe kur hyn në politikë e vjelin dhe e hedhin, nuk di një intelektual që të ketë bërë hajër në këtë xhungël politike të Shqipërisë. Klasë intelektuale e Shqipërisë, janë edhe mjekët dhe infermierët të cilët ndihen të papërfaqësuar, pasi nuk kemi organizma solide që të na mbrojnë (nuk kemi sindikatë solide për të na mbrojtur). Edhe kur organizohemi, gjenden mënyra për të na thërritur veç e veç e të bëhet presion. Kësisoj, unë nuk them që problemin e sistemit e shkaktojnë bluzat e bardha. Por, edhe duke ndenjur indiferent, ne lejojmë një sistem që nuk është produktiv, nuk ofron shëndet dhe kujdes shëndetësor për qytetarët shqiptarë, ashtu siç e kërkon koha dhe ashtu siç do ta kërkonim ne.

Pavarësisht se jemi në një sistem demokratik, kemi parë që mjekët shpesh bien pre e presioneve dhe tërhiqen prej presioneve? Pse ndodh kjo?

Që ditën që është promovuar këshilla e Kryeministrit për të fotografuar apo filmuar çdo veprim të mjekut, ne pacientët na vijnë me telefon në dorë. Pra, në vend që të na vijë një kamerë e hapur, na vjen kamera e të sëmurit. Ne jo gjithçka e bëjmë në mënyrë perfekte, sepse nuk kemi kushte ta bëjmë në mënyrë perfekte, të gjithë duan që t’u shpërbehet brenda minutës.

Ky sistem, kështu si kërkon të promovohet, nuk sjell produkt. Pra, nuk sjell kujdes apo shërbime të kujdesit shëndetësor të barabarta, cilësore dhe të aksesueshme dhe të sigurta, mbi të gjitha sot. Nuk i sjell dot, sepse në asnjë vend të botës nuk i çon dot, aq më pak në Shqipëri.

Aq më pak të themi shëndetësia falas. Nuk ka shanse të ofrohet shërbim shëndetësor falas, shërbimi shëndetësor është i kushtueshëm dhe dikush duhet të paguajë. A paguajmë nga taksimi i përgjithshëm, a paguajmë drejtpërdrejt nga xhepi, a paguajmë nga kjo apo ajo, është tjetër gjë. Jeta është shumë e shtrenjtë, nuk mund të mirëmbahet pa lekë. Ne jemi me shifrën më të ulët të buxhetit për shëndetësinë, as 3% e GDP. Ky lloj sistemi nuk mund të sjellë produkt më të mirë se sa kaq sa mundohemi ta japim ne. Me këtë lloj sistemi shëndetësor, me mjekë në një sistem që nuk funksionon ashtu siç duam, me presion nga politika, mjeku e ha këtë lloj presioni dhe nuk bëhet aktiv për të promovuar politika ndryshuese. Pse? Sistemi është i tillë, presioni i familjarit është i tillë… Një mjek ka gruan diku në punë, dikush ka fëmijën në shkollë, dikush ka një biznes me të cilin mban shtëpinë. Si pjesë e intelektualëve janë përgjithësisht të tërhequr, të papërfaqësuar, si pjesë e të përditshmes, i ha të gjitha këto presione.

Ju pak më parë thatë që politika e shtrydh intelektualin, ndërkohë që ju vetë jeni gjendur pjesë e politikës. Është kjo një censurë e dytë që i bëtë vetes në vitet e demokracisë?

Do të doja shumë që inteligjenca në Shqipëri të shtrydhej, por jo të hidhen. Të ishin të shtrydhur, domethënë t’u merret maksimumi i mundshëm. Në rolin e konsulentit, në rolin e profesionistit, në rolin e profesorit, në rolin e pedagogut, në rolin e doktorit, në të gjitha këto të ishte i shtrydhur, por jo i hedhur. I vlerësuar, por jo i pavlerësuar, i motivuar, jo i demotivuar, i gjykuar, por jo i paragjykuar. Këtë do të dëshiroja të bënte politika me intelektualët në Shqipëri. Si jam gjendur unë? Thashë që historia ime është “up and down”. Besoj se kam arritur majat në krye të shërbimit shëndetësor shqiptar. Besoj i kam arritur majat në aspektin politik, por jo atë profesional. Nga ana profesionale jam shumë i motivuar. E kam gjetur veten në pozicione shumë të vështira, e kam gjetur veten në presion, për të kërkuar, për të dhënë. Më kanë thënë dhe që : po ç’të gjeti që do bësh ca vite burg. Në burg sot ka fusha futbolli, volejbolli. Ose, vetë të fusim në burg e vetë të nxjerrim. Këto i kam të përjetuara të gjitha. Por, ja kam lënë të kaluarës. Gjithsesi dua të them, që 4 vite në Ministrinë e Shëndetësisë kam qenë pjesë e një ekipi të motivuar, të shkëlqyer.

Flasim gjithmonë mjeku-pacienti, mjeku-sistemi, por midis mjekëve, si është klima midis mjekëve e sidomos midis elitës?

Besoj se ka një konkurrencë të heshtur, të egër, ka një bashkëpunim në dukje produktiv, i cili realizohet përmes konsultave. Është e vështirë të them që mjedisi këtu është aq miqësor sa duket. Besoj se kështu është kudo. Kam patur fatin të shikoj pothuajse të gjitha sistemet shëndetësore e botës. Për shkak të sistemit ne ende nuk kemi zgjedhje për shefa shërbimesh, ende nuk kemi zgjedhje për institucione të tjera, në fakultet etj. Pra, ndërhyn politika për çdo gjë. Shpesh ndodh që edhe në mjekësi, pas çdo rreshti të rregullores të fshihet një pëllumb, apo një Hysen apo Hasan dhe të përshtatet diçka për individin, ndërkohë që ne duhet të bëjmë diçka për institucionin. Do doja që shefi i shërbimit të ishte më i vlerësuar, të kishte kompetenca, shef shërbimi që ti merret mendimi kur te fusë një infermier, kryeinfermier. Të kishte ca kompetenca që do ta bënim shërbimin dinjitoz, kur shefi i shërbimit është pronar i shërbimit. Unë dikur nuk u bëra drejtor spitali sepse në projektin që prezantova sesi mund të ishte spitali ndryshe, kisha thënë në paketën time që: nëse infektivi ka 100 lekë buxhet në vit, 80% të këtyre lekëve duhet ti administrojë shefi i shërbimit ose administratori i sotëm që kanë vënë që për mua, në kohën që jemi është një hallkë e tepërt, jo e panevojshme. Dhe pyetja ishte e drejtpërdrejtë: po unë ku e marr pjesën?

Përveç politikës dhe punës…

Kur mbarova shkollën e mesme, kam kërkuar që të studioja për filozofi. Doja të bëhesha filozof. Atë vit për filozofi shkoi vetëm një student dhe mua më sollën në mjekësi. Kam punuar dyfishin e kolegëve të mi. Puna më bëri të dilja student i shkëlqyer dhe mjek i mirë. E dua pafundësisht mjekësinë, sepse ne nuk kemi asnjë mekanizëm tjetër të prekshëm me dorë që ringjall një vdekur, që i kthen jetën një të sëmuri, që bën një grua të lindë fëmijë, që bën burrë të ndihet baba, që bën një nënë të thotë faleminderit që më shpëtove fëmijët. Edhe kalvari i jetës, edhe vuajtjet, mënyra e të rriturit, por edhe sukseset apo mossukseset që kam arritur në profesion, më bëjnë shumë pasionant për profesionin që kam sot. Më vjen keq që në kohën kur isha thuajse i pari i shëndetësisë shqiptare nuk munda të bëj asgjë më shumë, sepse pas çdo iniciative fshihej një vendim politik që asnjëherë nuk ishte më i miri i mundshëm. Më lini të sjell një perifrazim të ish kryeministrit të asaj kohe, prof Sali Berisha. Ministri jonë, edhe me këshillën time u bëri një propozim: lëri 3 km rrugë pa bërë dhe të përfundojmë QSUT-n. Dhe përgjigja e tij ishte: Mjekësia është thes i shpuar, sado të hedhësh nuk do mjaftojnë kurrë. Ndërsa 3 km rrugë, ndoshta më japin një deputet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu