Vlerat e cilësisë së ajrit në Shqipëri, Jo reale. 7 stacione monitorimi, të pa akredituara, të pakalibruara

 

 

Denisa Canameti

Instituti i Shëndetit Publik dhe Agjensia Kombëtare e Mjedisit, janë dy institucione që shpesh herë konfuzojnë opinionin publik për përgjegjësitë që kanë lidhur me çështjet e mjedisit. “Kjo është përgjegjësi e ISHP-së”, thotë AKM sa herë që “gjendet ngushtë” dhe e anasjellta. Megjithatë diçka mund të thuhet me siguri: As ISHP dhe as AKM e as institucionet e tjera përgjegjëse nuk kanë një angazhim të atij niveli që kërkojnë çështjet e mjedisit sot. Në auditimin e performancës të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me temë “Cilësia e Ajrit” përmendet se “ekziston në një farë mase një fragmentizim i përgjegjësive ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) dhe Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) në veçanti sa lidhet me arritjen e objektivave të CAM-it (Strategji e Cilësisë së ajrit në Mjedis)”.

Raporti gjithashtu evidenton mungesën e bashkëpunimit midis institucioneve kryesore si Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati shtetëror i Mjedisit e Pyjeve si dhe Instituti i Shëndetit Publik, “bashkëpunim që jo gjithmonë ka qenë i frytshëm dhe në nivelet e duhura“. “Një fakt i rëndësishëm është që Instituti i Shëndetit Publik nuk ka akses në të dhënat e monitorimeve për cilësinë e ajrit që bën Agjencia Kombëtare e Mjedisit”, thuhet në Raportin e KLSH.

Sa i takon performancës së këtyre institucioneve raporti shprehet se :

“… praktika e tanishme e monitorimit nuk është në linjë me kërkesat e BE-së; kontrolli i shkarkimeve të gazeve nga automjetet është i pamundur të kryhet nga institucionet përkatëse përgjegjëse; kontrolli dhe reduktimi i shkarkimeve të substancave ndotëse nga impiantet industriale nuk mund të arrihet për sa kohë nuk kryhet inspektimi i kontrollit të monitorimit të shkarkimeve industriale nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit;

“ Kontrolli dhe reduktimi i ndotjes së shkaktuar nga industria e ndërtimit është një sfidë e madhe në rastin e Shqipërisë; mungojnë Plani Kombëtar dhe planet lokale për menaxhimin e cilësisë së ajrit; sistemi i inspektimit mjedisor ka një mungesë të kapaciteteve profesionale; mungon një sistem efektiv për ndjekjen penale të thyerjeve të legjislacionit mjedisor; transpozimi i ligjit të krimit mjedisor është një domosdoshmëri për Shqipërinë”.

Probleme të tjera që janë evidentuar nga ky auditim janë si më poshtë:

Qeveria nuk ka të dhëna konkrete mbi pasojat që ka ndotja e ajrit në shëndetin human dhe në mjedis; asnjë analizë nuk është kryer mbi pritshmëritë e politikave të cilësisë së ajrit lidhur me përfitimet ekonomike, sociale e mjedisore.

Aktualisht, vlerat e cilësisë së ajrit në vendin tonë nuk janë reale pasi ato nuk janë gjithëpërfshirëse.

Sot, në të gjithë Shqipërinë kemi vetëm 7 stacione monitorimi të cilësisë së ajrit, të cilat monitorojnë pa ndërprerje, por 2 prej tyre për një periudhë 2 vjeçare nuk kanë qenë në gjendje pune. Të gjitha këto stacione janë të pa akredituara, një pjesë e tyre të pakalibruara çka dëshmon qartë për nivelin e ulët të besueshmërisë së të dhënave që ato paraqesin.

Institucionet përgjegjëse për cilësinë e ajrit në vendin tonë janë: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM); Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM); Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit (ISHMP); Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).

Në lidhje me pyetjen kryesore të këtij auditimi, A kanë qenë efektive dhe efiçiente masat e marra nga qeverisja lokale dhe qendrore për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe a janë këto masa në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar?

U arrit në këtë mesazh auditimi: “Masat e marra nga qeverisja qendrore dhe lokale për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vendin tonë nuk kanë qenë efektive dhe eficiente.

“Strategjia Kombëtare për Cilësinë e Ajrit (SKCA) e miratuar në vitin 2014, ende nuk është zbatuar. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka raportuar asnjëherë mbi zbatimin e SKCA – së. Plani Kombëtar i Veprimit për Cilësinë e Ajrit nuk është miratuar dhe si rrjedhojë asnjë Bashki në Shqipëri nuk ka miratuar Planet Vendore të Veprimit të Cilësisë së Ajrit.

“Monitorimi i cilësisë së ajrit nuk i përmbush plotësisht standardet e vendosura nga direktivat përkatëse të BE-së. Vlerat e publikuara për Tiranën, ashtu si edhe për qytetet e tjera të Shqipërisë nga stacioni i lëvizshëm i AKM-së nuk janë përfaqësuese si vlera mesatare të tyre. \

“Numri i stacioneve fikse të monitorimit të cilësisë së ajrit në Shqipëri nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar të dhëna përfaqësuese dhe të besueshme për qytetet përkatëse. ISHMP nuk kryen inspektime sa i përket tejkalimit të normave të shkarkimeve të elementëve ndotës të ajrit sepse nuk zotëron asnjë mjet/laborator për matjen e këtyre shkarkimeve në terren. ISHP nuk ka kryer asnjë studim epidemiologjik që të vlerësojë lidhjen shkak pasojë mbi ndikimin e cilësisë së ajrit në shëndetin e popullatës.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu