A ekzistojnë firmat e mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore?!

Denisa Canameti

Spitali Rajonal i Fierit ka qenë disa herë në qendër të investimeve nga Ministria e Shëndetësisë. Investimi i fundit ishte projekti i protezave ortopedike falas.  Përmirësimi i infrastrukturës dhe mbulimi me materiale mjekësore u duk se do të përmirësonte cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve. Vetë ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Ilir Beqaj u shpreh se plotësimi i kushteve brenda spitalit është një lehtësi për qytetarët e Fierit, që nuk duhet të paguajnë apo nuk duhet të marrin rrugën për të shkuar në Tiranë.

Në fakt, qytetarët e Fierit duket se nuk iu kanë shpëtuar pagesave. Prej 10 ditësh, pacientët e këtij spitali janë detyruar që të bëjnë grafi privatisht, pasi grafia e spitalit nuk punon.

“Grafia e spitalit rajonal Fier ka 10 ditë që nuk punon dhe askush nuk jep informacion se kur do të rregullohet. Qytetarët mundohen lart e poshtë dhe Ministria nuk di gjë që nuk punon grafia. Ju lutem, një informacion”, shkruan një qytetare në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.

E kontaktuar nga redaksia e Pro Pacientit, drejtoresha e Spitalit Rajonal të Fierit, Bruna Cami konfirmoi se grafia vazhdon të jetë e prishur prej disa ditësh. Por që shumë shpejt do vihet në funksion.

“Është e vërtetë që grafia është e prishur. Janë prishur nja dy pjesë që nuk riparohen por duhen zëvendësuar, ndaj kjo kërkon kohë. Megjithatë ne nuk kemi të zbuluar urgjencën, mbulojmë për momentin rastet urgjente. Shumë shpejt pritet të vihet në funksion që puna të vazhdojë normalisht” u shpreh Cami.

Prishja e aparaturave është kthyer në një fenomen për të gjitha spitalet dhe Qendrat Shëndetësore. Para disa javësh u raportua për prishjen e të gjitha aparaturave në një Qendër Shëndetësore në Tiranë, në mënyrë të vazhdueshme raportohet për prishje aparaturash në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” etj.

Çudit fakti se, pavarësisht se firmat e mirëmbajtjes paguhen konsiderueshëm dhe rregullisht, askush nuk mban përgjegjësi dhe shërbimi shëndetësor zhytet në kaos për ditë të tëra. Natyrshëm lind pyetja: A ekzistojnë vërtet firmat e mirëmbajtjes?!/ http://propacientit.com/

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu